Presidenti Pacolli vizitoi Kolegjin ILIRIA

Kolegji ILIRIA mirëpriti sot ish Presidentin e Republikës së Kosovës, njëherazi Presidentin e Mabetex Group, z. Behgjet Pacollin, i cili mbajti ligjeratë të hapur me studentët e Kolegjit, ku foli për zhvillimin ekonomik, ndërmarrësinë dhe mundësitë e punësimit për të rinjët.

Presidenti i Kolegjit ILIRIA, prof. dr. Mixhait Reçi, çmoi kontributin e z. Pacolli për mundësitë e krijuara për punësimin e të rinjëve dhe theksoi se z. Pacolli, përmes angazhimit të tij, ishte dhe është mbështetës i fuqishëm i rindërtimit dhe zhvillimit të Republikës së Kosovës, mbështetës i punësimit, veçanërisht i të rinjëve dhe eksportues i rëndësishëm për ekoniminë e vendit tonë. Z. Reçi tha se Presidenti Pacolli është model për të gjithë të rinjët, të cilët në vete kanë dijen, ambicien, guximin dhe dëshirojnë të sfidojnë veten për të arritur qëllimet e tyre.

Presidenti Pacolli, përgjatë ligjeratës, ndau me të pranishmit përvojat jetësore, duke theksuar se të qenurit ndërmarrës kërkon guximin dhe besimin në vete. Ai potencoi se për të qenë ndërmarrës i suksesshëm duhet të kesh tiparet e një lideri, i cili është i aftë të bashkëpunojë, të komunikojë dhe të jetë udhëheqës i denjë për ekipin e tij.

Presidenti Pacolli kërkoi nga studentët që mos ta humbin rastin dhe kohën kot, por ta shfrytëzojnë në maksimum. Ai tha se besimi fillon në vetvete dhe se çdokush në jetë e ka një vend të rëndësishëm në shoqëri.

Presidenti i Kolegjit ILIRIA, z. Reçi me këtë rast, falenderoi z. Pacollin për vizitën dhe në shenjë mirënjohje i dhuroi atij një skulpturë të artistit të mirënjohur Luan Mulliqit

Shpërndaje

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter

Recent Posts