Kolegji Iliria në Prishtinë, në bashkëpunim me Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal – CLARD, dhe me pjesëmarrjen e veçantë të përfaqësuesit të zyrës së kryeprokurorit të shtetit, z. Basri Kastrati, organizoi ligjëratë të hapur me temë: Roli, rëndësia dhe mandati i Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve në Kosovë.
Mysafiri special në këtë panel, z. Basri Kastrati, bëri një prezantim të punës dhe të arritjeve të deritanishme në sistemin e drejtësisë, si dhe të problematikave aktuale, me fokus të veçantë ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje.
Njëkohësisht, ai shpalosi rolin dhe rëndësinë e Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të qytetarëve të Kosovës.
Pjesë e këtij paneli profesional ishte dhe z. Anton Nrecaj, Këshilltar Ligjor në CLARD, i cili prezantoi zhvillimin dhe rezultate suksesi nga projekti “Ngritja e Kapaciteteve të Juristëve të Rinj”, në Klinikën Ligjore të Kolegjit ILIRIA, në kuadër të të cilit u organizua edhe ky panel profesional. Pjesëmarrësit përfunduan me një diskutim të hapur.