Çmimi Aleksandër Stipçeviq

Çmimi Shkencor Ndërkombëtar “Akademik Aleksandër Stipçeviç”, duke u mbështetur në Rregulloren e Çmimit Shkencor dhe në bazë vlerësimit, të zgjedhjes dhe të vendimit të Jurisë, u jepet personaliteteve të shquara akademike-universitare dhe të tjera për kontribut të madh me vlerë arsimore, kulturore dhe shkencore, për botime, për projekte dhe për arritje të shquara në fusha të ndryshme të kërkimit profesional shkencor.
Duke vlerësuar lart kontributin shumëvjeçar në fushën e shkencave humane dhe sidomos në Ilirologji, për ta nderua këtë figurë të ndritur të arsimit, të kulturës dhe të shkencës Këshilli Drejtues i Kolegjit “ILIRIA” në mbledhjen e mbajtur më 14 qershor 2017, aprovoi vendimin për themelimin e Çmimit Shkencor “Akademik Aleksandër Stipçeviç”. Duke u bazuar në misionin dhe vizionin e Kolegjit “ILIRIA”, të këtij institucioni të lartë universitar, duke vlerësuar lart veprimtarinë shkencore dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Akademik Aleksandër Stipçeviqit, me origjinë nga Arbëneshi i Zarës (Republika e Kroacisë) në fushën e studimeve albanologjike dhe posaçërisht në atë të studimeve ilire, pastaj bashkëpunimin e këtij personaliteti të shquar me famë botërore me Universitetin “Iliria”, me synimin për të ngritur në nivel më të lartë cilësinë e veprimtarisë mësimore dhe shkencore, miratoi propozimin e Rektorit dhe të Këshillit Mësimor Shkencor për themelimin e Çmimit Shkencor Ndërkombëtar “Akademik Aleksandër Stipçeviq”.
Me emërtimin e këtij Çmimi akademik-universitar nderohet historiani i antikitetit, ilirologu i shquar, autori i shumë punimeve dhe i veprave shkencore me rëndësi të madhe edhe për metodologjinë e kërkimeve shkencore. Nderohet gjithashtu edhe lauerati i këtij çmimi prestigjioz shkencor , i cili jepet për arritje shkencore, artistike dhe profesionale si dhe për karrierë të suksesshme akademike.