Çmimi Aleksander Stipcevic

ISMAIL KADARE NDEROHET ME ÇMIMIN SHKENCOR NDËRKOMBËTAR "ALEKSANDËR STIPÇEVIQ" PËR VITIN 2020 NGA KOLEGJI ILIRIA

AKADEMIK ISMAIL KADARE, shkrimtar shqiptar me famë botërore, Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nderohet me ÇMIMIN SHKENCOR NDËRKOMBËTAR ALEKSANDËR STIPÇEVIQ 2020.

Me këtë çmim janë nderuar:

Akademik Idriz Ajeti (2017),

Akademik Myzafer Korkuti (2018) dhe

Akademik Rexhep Qosja (2019).

Çmimi prestigjioz Shkencor Ndërkombëtar, që mban emrin e Akademik Aleksandër Stipçeviqit, ilirologut më të shquar shqiptar me famë botërore, i është dorëzuar Ismail Kadaresë më 10 tetor 2020.

Në pritjen e organizuar në Durrës nga shkrimtari Ismail Kadare dhe zonja Helena Kadare, në emër të Kolegjit ILIRIA çmimin e dorëzoi Prof. Dr. Isak Shema kryetar i Këshillit Drejtues të Kolegjit.

Shkrimtari Ismail Kadare e ka pranuar Çmimin me kënaqësi dhe është falënderuar për konsideratën dhe vlerësimin e Kolegjit ILIRIA.

Kolegji ILIRIA organizoi ndarjen e “Çmimit shkencor ndërkombëtar Aleksandër Stipçeviq – 2019”

Në kuadër të veprimtarisë shkencore për të tretin vit me radhë, përmes një ceremonie solemne, në Kolegjin ILIRIA u nda Çmimi Shkencor Ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq” – 2019.

Me emërtimin e këtij Çmimi Shkencor Ndërkombëtar nderohet historiani i antikitetit, ilirologu më i shquar i kohës sonë, autori i shumë punimeve dhe i veprave shkencore Akademik Aleksandër Stipçeviq, i cili ka qenë mysafir dhe pjesëmarrës në konferenca shkencore të organizuara nga Kolegji ILIRIA dhe i dekoruar me çmimin Anëtar Nderi i Bordit të Kolegjit.

Duke vlerësuar lart veprimtarinë shkencore dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Akademik Aleksandër Stipçeviqit në fushën e studimeve albanologjike dhe posaçërisht në atë të studimeve ilire, pastaj duke spikatur bashkëpunimin e këtij personaliteti të shquar me famë kombëtare, botërore dhe bashkëpunimin e tij me Kolegjin ILIRIA, si dhe me pëlqimin e familjes së Aleksandër Stipçeviq, u themelua edhe Çmimi shkencor ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq”, i cili ndahet çdo vit në datë 10 tetor, që përkon me ditëlindjen e tij në Arbënesh të Zarës.

Çmimi Shkencor Ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq”, duke u mbështetur në Rregulloren e Çmimit shkencor dhe në bazë të vlerësimit, të zgjedhjes dhe të vendimit të Jurisë profesionale, i dedikohet personaliteteve të shquara akademike – universitare, për kontribut të madh me vlerë arsimore, kulturore dhe shkencore, për botime, për projekte dhe për arritje të shquara në fusha të ndryshme të kërkimit profesional shkencor.

Kolegji ILIRIA në vitin 2017, realizoi edicionin e parë të Çmimit Shkencor Ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq”. Përmes një ceremonie solemne çmimi i është dhënë Akademik Idriz Ajetit, për arritje të shquara akademike – universitare shumëvjeçare në fushën e studimeve albanologjike.

Në vitin 2018, në kuadër të veprimtarisë shkencore, në bazë të vlerësimit të kontributit të jashtëzakonshëm shkencor shumëvjeçar në fushën e studimeve të historisë së popullit shqiptar, Çmimi “Aleksandër Stipçeviq” i është dhënë Akademik Muzafer Korkutit, anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, specialist i Prehistorisë dhe Arkeologjisë Prehistorike Shqiptare.

Këtë vit, për kontributin e jashtëzakonshëm shkencor shumëvjeçar në shkencat albanologjike, në shkencën e letërsisë, në krijimtarinë letrare, në kulturë, në publicistikë dhe në veprimtarinë universitare, në mënyrë solemne iu nda Çmimi shkencor ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq” – 2019, profesorit tonë të shquar Akademik Rexhep Qosja.

Në këtë ngjarje shumë të rëndësishme shkencore morrën pjesë personalitete të shquara Akademike – Universitare, dashamirës të shkencës dhe arsimit, si dhe të ftuar të tjerë nga hapësira kombëtare, si dhe profesorë, student dhe punonjës shkencor të Kolegjit ILIRIA.

Fjalë përshëndetëse pos Presidentit të Kolegjit profesor Reçit, paraqiti edhe Rektori i Kolegjit Prof. Dr. Isak Shema, si dhe Sekretari i parë i Ambasadës së Kroacisë në Kosovë, z. Zlatko Vnuçec. Ndërkaq, referues për krijimtarinë e gjithanshme shkencore, letrare dhe gjuhësore të Akademik Rexhep Qosjës ishin Prof. Dr. Agim Vinca profesor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Prof. Dr. Valter Memisha, Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë.

Fjala e Akademikut Rexhep Qosja në këtë rast pas marrjes së çmimit Aleksandër Stipçeviq zgjoi interesim tejet të veçantë te të gjithë të pranishmit. Vlerësoi lartë jetën dhe veprën e Aleksandër Stipçeviqit. Ai tha se është ndier i nderuar që merr çmim me emër të tij. Në vazhdim shprehu pikëpamjet lidhur me zhvillimet aktuale, ecuritë shoqërore dhe politike të sotme, si dhe për perspektivën e aspekteve të ardhmërisë së Kosovës dhe të popullit shqiptar.

Përshtypje e veçantë në këtë ceremoni solemne të ndarjes së çmimit u krijua përmes pikave muzikore nga profesoresha e muzikës dhe sopranoja e shquar, Besiana Mehmeti, në shoqërim të këngëtarit të mirënjohur dhe autorit të këngëve, Shkodran Tolaj.

Kolegji ILIRIA, në një ceremoni solemne, ka nderuar me çmimin shkencor ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq 2018”, akademikun nga Shqipëria, Muzafer Korkutin.

Akademik Muzafer Korkuti u shpreh i nderuar për këtë vlerësim që i është bërë nga Kolegji ILIRIA.

“Për mua është nder i veçantë dhe i madh që më bëri Kolegji ILIRIA, me dhënien e këtij Çmimi. Ky çmim më gëzon sepse mban emrin “ILIRIA”, sepse ky emër përfshin territorin e mirëfilltë, autokton të të parëve tanë, Ilirëve, pastaj arbërve e deri tek shqiptarët. Më kënaq edhe për faktin që unë kësaj teme ia kam kushtuar studimet e mia gjithë jetën. Më kënaq edhe fakti që ky Çmim mbanë emrin e Aleksandër Stipçeviqit, një figure kaq të shquar të studimeve ilire”, tha laureati i këtij Çmimi, Muzafer Korkuti.

ÇMIMI SHKENCOR NDËRKOMBËTAR I KOLEGJIT ILIRIA I JEPET AKADEMIK IDRIZ AJETIT - 2017

Kolegji Iliria më 10 tetor 2017, në orën 14 organizon Akademi shkencore kushtuar Akademik Aleksandër Stipçeviçit, shkencëtarit të shquar shqiptar të Arbëneshit të Zarës, duke shënuar kështu ditëlindjen e tij më 10 tetor 1930. Ky aktivitet përfshihet në kuadër të programit të veprimtarisë së veprimtarisë shkencore të vitit 2017 dhe simbolikisht hap vitin e ri akademik të institucionit të arsimit të lartë Iliria . Synimi i Kolegjit është që me punimet shkencore të cilat paraqiten në këtë Akademi solemne, të ndriçohen shkencërisht aspekte të rëndësishme të veprës madhore të Stipçeviçit në shkencat albanologjike dhe veçanërisht në fushën e ilirologjisë,


ÇMIMI SHKENCOR “AKADEMIK ALEKSANDËR STIPÇEVIÇ” I JEPET AKADEMIK IDRIZ AJETIT PËR ARRITJE TË SHQUARA AKADEMIKE-UNIVERSITARE SHUMËVJEÇARE NË FUSHËN E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE. DHËNIA E ÇMIMIT BËHET PËRMES CEREMONISË SOLEMNE, TË ORGANIZUAR NË KUADËR TË AKADEMISË SHKENCORE TË KOLEGJIT “ILIRIA” MË 10 TETOR 2017

Në Akademinë shkencore marrin pjesë shumë personalitete të shquara.

Me kumtesa paraqiten:

  • Prof. Dr. Jahja Drançolli, Profesor i Historisë, Universiteti i Prishtinës „Hasan Prishtina”
    Roli i Aleksandër Stipçeviçit historiografisë dhe etnologjisë
  • Prof. Dr. Isak Shema, Profesor, Kolegji ILIRIA
    Vështrimi enciklopedik Mbi Arbëneshët e Zarës i Akademik Aleksandër Stipçeviçit
  • Prof. Dr. Selim Daci, Profesor i Historisë, Universiteti Prishtinës “Hasan Prishtina”
    Kontributi i Aleksandër Stipçeviçit për historinë e Ilirëve
  • Prof. Dr. Hysen Matoshi, Drejtor i Institutit Albanologjik
    Stipçeviçi – model i studimit të trashëgimisë
  • Prof. Dr. Muhamet Mala, Prodekan i Fakultetit Filozofik të Prishtinës,
    Kontributi i Aleksandër Stipçeviçit në fushën e ilirologjisë
  • Prof. Dr. Nebi Dervishi, Universiteti Shtetëror i Tetovës,
    Recension mbi veprën e Akademik Stipçeviçit. Kultura tradicionale e Arbëneshëve të Zarës
  • Dr. Gjon Berisha, Historian, Instituti i Historisë i Kosovës
    Kontributi i Aleksandër Stipçeviçit për kontinuitetin Iliro-Arbnor
  • Prof. Dr. Sadri Fetihu , Instituti Albanologjik i Prishtinës
    Përkthimi në gjuhën shqipe i veprës “Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa” të Aleksandër Sipçeviçit
  • Mehmet Latifi, Publicist, Strugë
    Si e kam njohur Akademik Aleksandër Stipçeviçin

Punimet e sesionit shkencor botohen në revistën shkencore Iliria International Review. Kolegji Iliria në kuadër të planit të zhvillimit të veprimtarisë universitare në të ardhmen e afërt do të themelojë Institutin për studime ilire. Në saje të angazhimit të punonjësve të shquar dhe të kuadrit të ri profesional shkencore, në këtë institucion do të zhvillohen kërkimet e duhura shkencore dhe do të botohen punimet e zgjedhura, të cilat kanë vlerë të konsiderueshme në shkencat albanologjike.