Ligjeratë e hapur me shkrimtarin më të madh shqiptar z. Ismail Kadare

Kolegji ILIRIA mirëpriti shkrimtarin më të madh shqiptar z. Ismail Kadare, i cili mbajti ligjeratë të hapur me studentët e Kolegjit, ku foli për letërsinë dhe alfabetin e letërsisë shqipe. Ky bashkëbisedim me studentë, u hap me vargjet magjepsëse të Ismail Kadaresë, të kënduara nga mezosopranoja znj. Besiana Mehmedi.

Presidenti i Kolegjit ILIRIA, prof. dr. Mixhait Reçi, çmoi kontributin e lartë të z. Kadare, të dhënë për letërsinë shqipe, veprat e të cilit u dëshmuan nga recensionet e disa prej intelektualëve dhe kritikëve më të mëdhenjë letrarë. Z. Reçi, theksoi se Kadare përmes veprave të tij nderoi një popull të tërë, duke qenë një ambasador i tërë kombit shqiptar. Presidenti Reçi, potencoi se ato që Kadare na mësoi përmes veprave të tij se si duhet mbrojtur dinjiteti i individit dhe dinjiteti kombëtar, mbeten mësime jetësore dhe të vazhdueshme për studentët e Kolegjit ILIRIA.

Ndërkohë, Kadare para të pranishmëve tha se letërsia shqiptare është konkuruese me gjuhët të cilat janë të zhvilluara shumë kohë përpara letërsisë shqipe ndërsa tregoi se njëri nga librat e tij do të konkurojë për librin më të mirë të shkruar e të përkthyer në gjuhën angleze, konkurs ky që mbahet në Britaninë e Madhe. Kadare theksoi se letërsia shqipe është ndër me të vjetrat në Evropë, porse sipas tij, letërsia shqipe është aq e ndërlikuar sa nuk kanë ditur ta zbërthejnë.

“Letërsia shqipe është letërsi shumë e ndërlikuar, shumë e pasur, që ne nuk kemi ditur ende ta zbërthejmë. Ne, për fat të keq, nuk dijmë ca gjëra themelore për letërsinë shqipe. Është faj i studiuesve, akademikëve, specialistëve, ekspertëve. Letërsia shqipe ka rreth 600 vjet që ekziston dhe për Evropën kjo është një shqipe shumë e nderuar. Jam i bindur që ka dikush që mendon se letërsia gjermane ka 1 mijë vjet që ekziston apo ajo franceze, jo. Letërsia shqipe është nga më të vjetrat”, theksoi ai.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, të pranishmit parashtruan pyetje të shumta. Nga audienca, Kadare është pyetur edhe për letërsinë shqipe në përgjithësi, por edhe krijimtarinë e cila po bëhet në letërsinë në Kosovë.

Përgjatë ligjeratës, shkrimtari Kadare pranoi si dhuratë simbolike nga Presidenti i Kolegjit ILIRIA skulpturën e Nënës Terezë dhe logon e Kolegjit ILIRIA. Ndërkaq, të pranishmit patën mundësinë të marrin nga një vepër të nënshkruar nga autori.

Shpërndaje

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter

Recent Posts