Ekspertja për akreditim institucional Anca Prisacariu nga Rumania, e jashtligjshme!
Kolegji ILIRIA dëshiron që përmes kësaj komunikate të njoftojë studentët dhe opinionin publik në lidhje me njoftimin për moslejimin e regjistrimit te studentëve të rinj në vitin akademik 2019/2020.
Fillimisht dëshirojmë të sigurojmë studentët tanë që të mos shqetësohen, sepse të gjithë ata të cilët janë duke vazhduar studimet do të kenë mundësi t’i vazhdojnë ato pa problem.
Kolegji ILIRIA është i bindur se Këshilli Shtetëror i Cilësisë – KSHC ka marrë vendim të pamatur, për faktin se procesi i akreditimit ka pasur shkelje të shumta ligjore, për të cilat janë bërë ankesa të vazhdueshme në Agjencinë e Kosovës për Akreditim – AKA.
Duke mos dashur të theksojmë të gjitha shkeljet (të cilat do të jenë pjesë e ankesës dhe padisë), dëshirojme të theksojmë faktin se gjatë vizitës në Kolegjin ILIRIA, krahas ekspertëve për akreditim të programeve, ka qenë e angazhuar edhe Anca Prisacariu nga Rumania, e cila është angazhuar në cilësinë e ekspertes për akreditim institucional.
Kolegji ILIRIA, duke iu nënshtuar akreditimit për më shumë se 10 vite, si dhe duke u vlerësuar nga më shumë se 30 ekspertë nga universitetet më të njohura europiane, kemi verejtur qartë se Anca Prisacariu nuk ka kapacitetet e duhura dhe nuk plotëson kriteret per te qenë eksperte.
Duke parë sjelljet dhe joprofesionalizmin e saj gjatë vizitës, Kolegji ILIRIA ka bërë ankesë në AKA dhe njëkohesisht ka kerkuar CV-në e saj me rastin e aplikimit për eksperte, sipas Ligjit për qasje në dokumente publike. AKA në asnjë rast nuk ka dorezuar CV-në e saj, duke fshehur shkeljet që ka bërë, dhe duke angazhuar jashtligjshëm një person që nuk plotëson kriteret ligjore për të qenë eksperte.
Përkunder kësaj, Kolegji ILIRIA është munduar të hetojë përmes rrjeteve sociale (profili i saj në LinkedIn) dhe burimeve tjera, ku vërehet se e njejta nuk ka përvojë pune si mësimdhënëse në universitet.
Me këtë rast, është bërë shkelje e Udhëzimit Administrativ për Akreditim ku thuhet shprehimisht se ekspertët duhet të kenë përvojë pune si mësimdhënës ne universitet, në menaxhim në institucion të arsimit të lartë, si dhe pervojë në hartimin e planprogrameve. Nga 8 kriteret e cekura në udhëzim administrativ, kjo “eksperte” nuk plotëson 3 nga to.
Kolegji ILIRIA konsideron se qëllimi i angazhimin të saj është shumë i dyshimtë, poashtu për faktin se e njejta nuk ka dhënë vlerësim pozitiv për asnjë institucion të cilin e ka vlerësuar. Nga një numër i madh i ekspertëve që AKA ka pasur në dispozicion, eshte përzgjedhur pikërisht Anca Prisacariu për të vlerësuar institucionin tonë, si dhe numrin më të madh të universiteteve publike dhe kolegjeve tjera private, të cilave u është tërhekur akreditimi.
Shprehim keqardhje për këtë veprim të papërgjegjshëm të Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të cilët pa asnjë arsye kanë shqetësuar studentët, profesorët dhe opinionin publik.