Konferenca shkencore ndërkombëtarë

Në Kolegjin ILIRIA në Prishtinë u realizua Konferenca Shkencore Ndërkombëtare rreth kërkimit shkencor dhe inovacionit, e cila bëri bashkë studiues të shquar të fushave të ndryshme, nga bota, rajoni e vendi, të cilët prezantuan punimet e tyre. Pjesëmarrësit diskutuan për kërkimin shkencor në arsimin e lartë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.

Konferenca me temën “Kërkimi Shkencor dhe Inovacioni në Arsimin e Lartë Universitar” trajtoi rrjedhat bashkëkohore të organizimit të kërkimit shkencor sipas Kartës Evropiane të Kërkuesve Shkencorë dhe të programeve të tjera strategjike.

Tubimi i organizuar nga Kolegji ILIRIA në kuadër të Programit të veprimtarisë akademike shkencore të vitit akademik 2017/2018, u hap nga Presidenti i Kolegjit ILIRIA, Prof. Dr. Mixhat Reçi, i cili foli për rëndësinë e kërkimit shkencor në arsimin e lartë dhe zhvillimin e tij në Kolegjin ILIRIA.

“Kërkimi shkencor është bazë e arsimit të lartë, si motor i inovacionit, i konkurrencës dhe i cilësisë së mësimdhënies. Pra, nuk mund të ndahet arsimi i lartë nga kërkimi shkencor sepse kërkimi është një element i domosdoshëm që sjell përfitime për arsimin dhe vendin. Andaj, duke e pasur në konsideratë nivelin e zhvillimit të Republikës së Kosovës, mund të thuhet se në arsimin e lartë, kërkimi shkencor është shtytës i zhvillimit. Kolegji ILIRIA pretendon të jetë institucion elitar i arsimit të lartë, bazuar në punë kërkimore shkencore. Mësimdhënia dhe kërkimi shkencor do të jenë komponentë dhe kritere për vlerësim institucional por edhe për financim të institucioneve të arsimit të lartë, si atij të sektorit privat edhe atij publik. Ne si institucion i arsimit të lartë punojmë që të krijojmë një komunitet akademik, edhe përmes nxitjes dhe angazhimit në projekte kërkimore dhe botuese”, u shpreh Presidenti i Kolegjit ILIRIA.

Më tutje Prof. Dr Reçi foli për domosdoshmërinë e kërkimit shkencor në studimet master, doktoratë dhe vendin që duhet zënë kërkimi shkencor në kurrikulat e studimeve universitare. Ai njoftoi gjithashtu se punimet e konferencës do të publikohen si botim i veçantë.

“Organizimi i studimeve të doktoratës në më shumë institucione të arsimit të lartë në Kosovë për të krijuar kuadër të nevojshëm dhe të mjaftueshëm, krijon një bazë për zhvillimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit në arsimin e lartë në Kosovë. Rritja e vëmendjes mbi metodologjinë e kërkimit shkencor, respektimi i kërkesave etike të kërkimit shkencor, në mënyrë të veçantë shmangia e plagjiaturës, hartimi i kodit të etikës dhe sistemit të referencave të kërkimit shkencor, i jep karakter të mirëfilltë kërkimit shkencor dhe studiuesit. Mësimdhënia, kërkimi shkencor dhe veprimtaria botuese në Kolegjin ILIRIA janë komponentë të pandarë,” tha Prof. Dr. Mixhait Reçi.

Z. Reçi u tha të pranishmëve se revista shkencore e Kolegjit ILIRIA, “ILIRIA Internacional Review”, është krenari e sistemit të arsimit të lartë në Kosovë, sepse është revista e vetme me indeksim ndërkombëtar. Revista e Kolegjit ILIRIA është prezentë në formë fizike në mbi 30 biblioteka të njohura në botë, duke filluar nga ato rajonale, evropiane, deri në Uashington, Pekin, Moskë e Tokio.

Pjesëmarrës i konferencës ishte edhe Akademik Marenglen Verli, Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës, i cili tha se të gjitha arkivat e Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, mund të shfrytëzohen nga studentët dhe studiuesit e arsimit të lartë në Kosovë.

“Nuk është hera e parë që institucioni ynë, që përmbledh katër institucione të mirëfillta, Institutin e Historisë, të Arkeologjisë, Të Gjuhës dhe Letërsisë dhe të Antropologjisë, bashkëpunon me Kolegjin ILIRIA. Sot do të bëjmë një marrëveshje, në kuadër të së cilës shpresojmë të ecim në veprime konkrete në bashkëpunimin tonë me këtë Kolegj. Institucioni ynë, është një institucion që në vazhdimësi e ka mbajtur të bashkuar albanologjinë. Veprimtaria jonë kryesore është shkencore,” tha Akademik Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Pjesë e konferencës ishte edhe Prof. Dr. Antonello Tarzia nga Italia, Drejtor i Programit Master në Menaxhment dhe Udhëheqja e Shkollave dhe organizatave Arsimore, i cili shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me Kolegjin ILIRIA.

“Unë falënderoj shumë Profesor Reçin për ftesën. Kjo është hera ime e tretë që jam në Prishtinë, gjatë pesë viteve të fundit dhe ju kërkoj shumë falje që ende nuk jam i gatshëm ta flas gjuhën shqipe, por jam duke punuar në këtë drejtim. Unë si Drejtor i Programit Master në Menaxhment dhe Udhëheqja e Shkollave dhe organizatave Arsimore, jam i gatshëm për bashkëpunim me Kolegjin ILIRIA sa i përket kërkimit shkencor dhe inovacionit në arsimin e lartë,” u shpreh profesori italian.

Një prej prezantimeve parësore, me të cilën u hap Konferenca, ishte ajo e Prof. Dr. Bajram Berishës: Kërkimi Shkencor dhe Inovacioni në Arsimin e Lartë Universitar – trendet e përgjithshme dhe sfidat në Kosovë, ku u analizuan shumë çështje dhe u dhanë informacione rreth kërkimit shkencor në arsimin e lartë në vendin tonë, duke u krahasuar më nivelin e kërkimeve shkencore në arsimin e lartë në shtetet e evropiane dhe botës.

“Sot më është dhënë një detyrë mjaft e rëndë. Të flas për një temë mjaft të gjerë para një auditori kaq të madh, me shumë profesorë, që mund të jenë shumë më kompetentë se unë, megjithatë do të përpiqem të jap disa qasje në të arriturat shkencore në Bashkimin Evropian dhe në Kosovë dhe në kërkime shkencore të tyre, ku me të vërtetë vendet tjera e kanë të zhvilluar shumë kërkimin shkencor në arsimin e lartë, por edhe Kosova ka bërë një progres të dukshëm në këtë fushë,” tha Prof. Dr. Bajram Berisha në prezantimin e tij.

Ndërkaq një prej temave që nxiti interesim gjatë konferencës ishte Shqipja në shkollë dhe jashtë saj e Prof. Dr. Qemal Muratit.

“Nëse popujt e tjerë e mbrojnë gjuhën e tyre një herë, shqiptarët kanë arsye ta mbrojnë gjuhën e tyre shtatë herë, sepse nuk kanë tjetër pasuri më të madhe dhe më të veçantë të tyre se sa këtë thesar. Ne duhet të sillemi me respekt ndaj shqipes sonë standarde, jo mbi bazën e krahinës, jo mbi bazën e mëhallës, jo mbi bazën e inatit, por mbi bazën kombëtare, sepse vetëm ashtu mendojmë edhe për kombin edhe për krahinën edhe për mëhallën. Për ata që e duan gjuhën shqipe, e të tillë besoj se ka shumë, gjëja më e vështirë është kur gjuha standard nuk respektohet, kur përdorën fjalë të huaja dhe gjuha bastardhohet.’ – shtoi Qemal Murati.

Prof. As. Dr. Dritëro Arifi gjatë prezantimit të tij “Çështja shqiptare në Ballkan nga këndvështrimi i partive politike shqiptare”, shtroi ‘çështje të rëndësishme të funksionimit të partive politike shqiptare.

Disa nga prezantimet të tjera që u shpalosën në këtë konferencë ishin: “Shkenca – Formë e aktivitetit mendor të njeriut” nga Prof.Dr.Nuri Bashota, “Krijimtaria e Faik Konicës në Bruksel 1897-1902 ( Rast i kërkimit shkencor: Arkivi Faik Konitza në Archives Generales de Royaume, Bruxelles)” nga Prof. Dr. Isak Shema, “Flukset e emigracionit dhe rritja e kërkesave të reja arsimore në Itali” nga Prof.Antonello Tarzia, “Kërkimet shkencore në fushën e arteve dhe të edukimit muzikor” nga Prof. Asoc. Dr. Besa Luzha”.

Autorë të tjerë të shquar paraqitën Kumtesat, si vijon: Akademik Beqir Meta: “Reformat e viteve 2007 dhe 2015 në arsimin e lartë në kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë dhe impakti i tyre në studimet albanologjike”;

Prof. As. Dr. Nderim Zeqiri: “Kërkimet shkencore dhe teknologjia IT në zhvillimin e potencialeve inovative, Prof. Dr. Jahja Drançolli: “Kërkimet shkencore në fushën e historiografisë”; Prof. Dr. Nebi Dervishi: “Veprimtaria patriotike e Dervish Himës”, Prof. As. Dr. Petrit Hasanaj, Mr. sc. Besmir Ahmetaj: “Analiza e pasqyrave financiare: Rëndësia e treguesve financiarë në ndërmarrje”, etj.

Shpërndaje

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter

Recent Posts