Në kuadër të veprimtarisë shkencore për të tretin vit me radhë, përmes një ceremonie solemne, në Kolegjin ILIRIA u nda Çmimi Shkencor Ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq” – 2019. Me emërtimin e këtij Çmimi Shkencor Ndërkombëtar nderohet historiani i antikitetit, ilirologu më i shquar i kohës sonë, autori i shumë punimeve dhe i veprave shkencore Akademik Aleksandër Stipçeviq, i cili ka qenë mysafir dhe pjesëmarrës në konferenca shkencore të organizuara nga Kolegji ILIRIA dhe i dekoruar me çmimin Anëtar Nderi i Bordit të Kolegjit.
Duke vlerësuar lart veprimtarinë shkencore dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Akademik Aleksandër Stipçeviqit në fushën e studimeve albanologjike dhe posaçërisht në atë të studimeve ilire, pastaj duke spikatur bashkëpunimin e këtij personaliteti të shquar me famë kombëtare, botërore dhe bashkëpunimin e tij me Kolegjin ILIRIA, si dhe me pëlqimin e familjes së Aleksandër Stipçeviq, u themelua edhe Çmimi shkencor ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq”, i cili ndahet çdo vit në datë 10 tetor, që përkon me ditëlindjen e tij në Arbënesh të Zarës.
Çmimi Shkencor Ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq”, duke u mbështetur në Rregulloren e Çmimit shkencor dhe në bazë të vlerësimit, të zgjedhjes dhe të vendimit të Jurisë profesionale, i dedikohet personaliteteve të shquara akademike – universitare, për kontribut të madh me vlerë arsimore, kulturore dhe shkencore, për botime, për projekte dhe për arritje të shquara në fusha të ndryshme të kërkimit profesional shkencor.
Kolegji ILIRIA në vitin 2017, realizoi edicionin e parë të Çmimit Shkencor Ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq”. Përmes një ceremonie solemne çmimi i është dhënë Akademik Idriz Ajetit, për arritje të shquara akademike – universitare shumëvjeçare në fushën e studimeve albanologjike.
Në vitin 2018, në kuadër të veprimtarisë shkencore, në bazë të vlerësimit të kontributit të jashtëzakonshëm shkencor shumëvjeçar në fushën e studimeve të historisë së popullit shqiptar, Çmimi “Aleksandër Stipçeviq” i është dhënë Akademik Muzafer Korkutit, anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, specialist i Prehistorisë dhe Arkeologjisë Prehistorike Shqiptare.
Këtë vit, për kontributin e jashtëzakonshëm shkencor shumëvjeçar në shkencat albanologjike, në shkencën e letërsisë, në krijimtarinë letrare, në kulturë, në publicistikë dhe në veprimtarinë universitare, në mënyrë solemne iu nda Çmimi shkencor ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviq” – 2019, profesorit tonë të shquar Akademik Rexhep Qosja.
Në këtë ngjarje shumë të rëndësishme shkencore morrën pjesë personalitete të shquara Akademike – Universitare, dashamirës të shkencës dhe arsimit, si dhe të ftuar të tjerë nga hapësira kombëtare, si dhe profesorë, student dhe punonjës shkencor të Kolegjit ILIRIA.
Fjalë përshëndetëse pos Presidentit të Kolegjit profesor Reçit, paraqiti edhe Rektori i Kolegjit Prof. Dr. Isak Shema, si dhe Sekretari i parë i Ambasadës së Kroacisë në Kosovë, z. Zlatko Vnuçec. Ndërkaq, referues për krijimtarinë e gjithanshme shkencore, letrare dhe gjuhësore të Akademik Rexhep Qosjës ishin Prof. Dr. Agim Vinca profesor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Prof. Dr. Valter Memisha, Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë.
Fjala e Akademikut Rexhep Qosja në këtë rast pas marrjes së çmimit Aleksandër Stipçeviq zgjoi interesim tejet të veçantë te të gjithë të pranishmit. Vlerësoi lartë jetën dhe veprën e Aleksandër Stipçeviqit. Ai tha se është ndier i nderuar që merr çmim me emër të tij. Në vazhdim shprehu pikëpamjet lidhur me zhvillimet aktuale, ecuritë shoqërore dhe politike të sotme, si dhe për perspektivën e aspekteve të ardhmërisë së Kosovës dhe të popullit shqiptar.
Përshtypje e veçantë në këtë ceremoni solemne të ndarjes së çmimit u krijua përmes pikave muzikore nga profesoresha e muzikës dhe sopranoja e shquar, Besiana Mehmeti, në shoqërim të këngëtarit të mirënjohur dhe autorit të këngëve, Shkodran Tolaj.