Prishtinë, 15 maj 2012 – Ministrja Integrimit Evropian Vlora Çitaku, mbajti një ligjëratë publike me studentët e Kolegjit ILIRIA në Prishtinë. Temë e diskutimit ishte: “Kosova në Procesin e Integrimit Evropian” me theks të veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ministrja Çitaku prezantoi të arriturat e Kosovës në procesin e integrimit Evropian, mobilizimin brenda institucional dhe propozimin për miratim të legjislacionit bazik për të mundësuar një zhvillim të hovshëm rreth përmbushjes së kritereve për të filluar me procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëdhënieve kontraktuale . Për më shumë, ajo përmendi fillimin e studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e stabilizim asocimit si hapi i parë formal për Kosovën drejt integrimit Evropian.
Për ta elaboruar sa më mirë procesin teknik, ministrja Çitaku përmendi mekanizmat institucional dhe kontributin e tyre në këtë proces si dhe, veprimet aktuale që janë marrë për të përshpejtuar procesin. Ministrja Çitaku, po ashtu potencoi se: Procesi i integrimit evropian është një dinamik e brendshme dhe e vështirë, sepse kërkon energji të jashtëzakonshme, që do të ndikoj në transformimin dhe zhvillimin e shtetit. Kjo nënkupton reforma gjithëpërfshirëse, që do të thotë se integrimi i Kosovës në BE do të ketë një rrugë të gjatë, por jo të pa pamundur.
Të pranishmit, studentë dhe stafi akademik i Kolegjit ILIRIA, shfaqën interesim për zhvillimet rreth liberalizimit të vizave dhe pranimit të udhërrëfyesit, si dhe rreth procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.