Profesor Berg, nga Universiteti i Tartu-së, një ndër më të mëdhenjtë në Europën veriore, ligjëron në Kolegjin ILIRIA

Ditët e fundit, në kuadër të programit të Bashkimit Evropian për edukim Erasmus +, Prof. Dr. Eiki Berg, i cili ligjëron në Institutin e Studimeve Politike Johan Skytte, në Universitetin e Tartu- së, një ndër universitetet me renome në Evropë dhe botë, ligjëroi në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Kolegjin ILIRIA.

Kolegji ILIRIA ofron mundësi të shumta shkëmbimi të studentëve dhe stafit akademik e administrativ me Universitetet perëndimore partnere të programit, pjesë e të cilit ishte dhe ligjërata e Prof. Berg.

Ligjëratat në aktivitet ishin të përqendruara kryesisht në temat si: Estonia; Narrativë kombëtare; Etnopolitika dhe kufijtë; Evropa gjithnjë e më e madhe!, Gjeopolitika e vendeve fqinje. Përgjatë këtyre ligjëratave, studentët patën mundësinë të studiojnë, të analizojnë dhe reflektojnë mbi rrëfimet më të rëndësishme për Estoninë, ndikimin e tyre në marrëdhëniet ndëretnike si dhe dimensionin e jashtëm të integrimit evropian, perspektivat e zgjerimit të ardhshëm të Evropës edhe pas Brexit-it, krizave ukrainase dhe turke.

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte zgjerimi dhe fuqizimi i bashkëpunimit, shkëmbimit të njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira me institucionet partnere nga vendet e programit Erasmus +, theksohet në një deklaratë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kolegjit ILIRA, z. Arbër Reçi.

“Me Universitetin e Tartu-së në Estoni, tani kemi vite që bashkëpunojmë në shkëmbimin e studentëve, dhe në këtë vit, ne kemi si qëllim kryesor të forcojmë më tutje bashkëpunimin ndërmjet të dyja institucioneve, me vazhdimin e shkëmbimit të stafit akademik dhe studentëve, kështu duke fuqizuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mundësuar shkëmbimin e praktikave më të mira të mësimdhënies dhe mësimnxënies në një mjedis ndërkombëtar,” thuhet në deklaratën e cituar.

Me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i Kolegjit Iliria z. Arbër Reçi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë në realizimin e suksesshëm të ligjëratave dhe për bashkëpunimin e ndërsjellët në vazhdimësi, ndau për Prof. Dr. Berg, letër mirënjohjeje, logon dhe numrin e fundit të revistës “ILIRIA International Review”.

Në Kolegjin ILIRIA, në institucionin e arsimit të lartë privat mes të parëve në Kosovë dhe në gjithë trojet shqiptare, tani shënohen me qindra studentë të cilët kanë qenë pjesë e projekteve të ndryshme, punëtorive, konferencave ndërkombëtare, shkollave verore si dhe shkëmbimeve semestrale, me universitete nga e gjithë Evropa, pa lënë anash edhe marrëveshje tjera, përfshirë edhe universitete nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shpërndaje

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter

Recent Posts