Në kuadër të aktivitetit “Ligjeratë e Hapur”, Kolegji ILIRIA priti për vizitë Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Gjatë kësaj vizite, z. Rama para të pranishmëve mbajti ligjeratë për misionin, detyrat, kapacitetet ushtarake, bashkëpunimet, si dhe për të ardhmen e kësaj Force, e cila pritet që së shpejti të transformohet në Ushtri.
Sekretari i Përgjithshëm i Kolegjit ILIRIA, z.Arbër Reçi, falënderoi gjeneralin Rama për vizitën, si dhe shprehi mbështetjen e vazhdueshme që Kolegji ka ofruar fillimisht për pjestarët e TMK-së dhe tash të atyre të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes bursave të cilat ndahen për shërbyesit e këtij institucioni.
Presidenti i Kolegjit ILIRIA, prof. dr. Mixhait Reçi, çmoi lartë punën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe përshëndeti iniciativën e shëndrrimit të kësaj Force në Ushtri. Mes të tjerash, z. Reçi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë me Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ndërkohë, gjenerali Rama shprehi falënderimin për Kolegjin ILIRIA dhe mundësitë që ofron për pjestarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Z. Rama, përmes ligjeratës për të pranishmit, shpalosi gjendjen aktuale të FSK-së dhe hapat që do të ndiqen drejt transformimit në Forcë të Armatosur të Kosovës. Z. Rama, tha se aktualisht, Forca e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të bashkëpunimeve rajonale dhe ndërkombëtare, ka rreth 13 marrëveshje bilaterale, të cilat i mundësojnë pjestarëve të saj, të kryejnë ushtrime të përbashkëta, ndërsa vetëm gjatë këtij viti, në kuadër të këtij partneriteti, janë paraparë të realizohen mbi 110 aktivitete.
Ndër të tjera, u potencua që misioni i FSK-së është që të kryejë operacionet e reagimit ndaj krizave, operacionet e mbrojtjes civile brenda Kosovës, si dhe t’i ndihmojë autoritetet civile në përgjigje ndaj emergjencave të tjera. Detyra të tilla përfshijnë operacionet e kërkim shpëtimit, mënjanimin e mjeteve shpërthyese, kontrollin dhe pastrimin e materieve të rrezikshme, detyra tjera të ndihmës humanitare etj.